Trafik bizhush nga Franca, SPAK kërkon 86 vite burg për grupin e ish-shoferit të Ardi Veliut

Nga Armand Bajrami
5 Nëntor 2024, 16:46 | Kronikë

SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme deklarimin e fajshëm të9 personave të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal, që trafikonin e më pas shisnin në tregun e zi në Shqipëri sende të çmuara të vjedhura apo blera në Francë.

Mes të pandehurve është edhe Sokol Idrizaj, ish-shofer i Ardi Veliut, gjatë kohës që mbante detyrën e kreut të Policisë së Shtetit dhe tre anëtarë të familjes së tij.

Duke i konsideruar fajtorë në role përkatëse për veprat penale të “grupit të strukturuar kriminal”, “fshehje e të ardhurave”, “kontrabandë me mallra të tjerë”, “tregtim e transportim i mallrave kontrabandë e “ushtrim pa licensë të veprimtarisë bankare”, prokurori i SPAK, Adnan Xholi, kërkoi dënimin me 12 vjet burg për Sokol Idrizajn.

E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për bashkëshorten e tij, Elda Idrizaj, si edhe për Agustin Mesulin e Altin Dodën. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i kërkuar për ta shkoi në 8 vjet, raporton A2.

Dënime përfundimtare me nga 6 vjet e 4 muaj burg u kërkuan për të pandehurit Florian Baku e Egi Idrizaj. Për Bora Idrizajn, SPAK kërkoi pezullim të dënimit me 4 vjet burg dhe konvertim në 5 vjet Shërbim Prove, ndërsa për Vangjush Kasharën e Tomor Barutin nga 4 vjet burg secilit, shkruan A2.

Hetimi i këtij grupi të dyshuar kriminal nisi në qershor 2022, pas sinjalizimit nga autoritetet e Prokurorisë së Lionit në Francë. Hetimi i mëtejshëm me një skuadër të përbashkët hetimore zbuloi se një grup kriminal në Francë që siguronte përmes vjedhjes apo blerjes tek vjedhësit e sendeve të çmuara, bizhuteri ari, ora dore, apo pajisje elektronike, koordinohej me një grup në Shqipëri.

Sendet transportoheshin në rrugë tokësore, të fshehura në mjetet e disa agjencive udhëtimi. Në portin e Durrësit, kalimi i tyre garantohej falë bashkëpunimit më dy punonjës të policisë kufitare, ndërsa më pas shiteshin në tregun e zi vendas.

Nga kontrollet e SPAK në Shqipëri për këtë hetim u sekuestruan 59 mijë euro, 10 mijë dollarë kanadezë, 57 ora dore të çmuara, 28aparate celularë, syze dielli të markave të njohura, parfume dhe veshje të firmave prestigjioze.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos