Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, Policia e Shtetit ka finalizuar procedurat e ekstradimit drejt Italisë të tre shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash penale në fushën e narkotikëve.
Albert Koni, 51 vjeç: Gjykata e Torinos e ka dënuar në vitin 2025 me rreth 4 vite e gjysmë burgim për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Autoritetet italiane zbuluan se gjatë vitit 2017, zoti Koni shiste kokainë në ambientet publike të zonave Arona dhe Novara.
R. A., 21 vjeç: Masa e sigurisë “Arrest në burg” i është caktuar nga Gjykata e Milanos në vitin 2024, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Ai dyshohet se gjatë periudhës 2022–2024 ka qenë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha lëndësh narkotike në Milano.
A. F., 39 vjeç: Në kuadrin e operacionit “COOK 2020” të Policisë italiane, Gjykata e Gjenovas i ka caktuar në vitin 2024 masën “Arrest në burg” për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, veprime këto të kryera brenda organizatës kriminale.
Pas mbërritjes në Itali, të ekstraduarit do t’i nënshtrohen vuajtjes së dënimit sipas vendimit të gjykatave kompetente. (A2 Televizion)