Tragjedia në Maqedoninë e veriut, klubi i natës nuk kishte licencë, rreth 20 persona të arrestuar

Nga Rosalba Bejdo
17 Mars 2025, 15:19 | Kronikë

Klubi i natës ku ka ndodhur tragjedia në Maqedoninë e Veriut, ku ishte përdorur një licencë e falsifikuar. Këtë e tha kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, sipas të cilit licenca ishte lëshuar në vitin e kaluar nga zyrtarë të ministrisë së Ekonomisë. “Shumë pyetje duhen të marrin përgjigje,” tha Mickoski, i cili premtoi llogaridhënie në të gjitha nivelet.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha: “Për momentin kemi informacion se në momentin e fatkeqësisë tragjike ka pasur një licencë të falsifikuar, të lëshuar në mars 2024 në këmbim të ryshfetit. Bëhet fjalë për një dokument pune për një kabare, i lëshuar në mënyrë të paligjshme, me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe nënshkrimin e zyrtarëve të atëhershëm të kësaj ministrie. Ka shumë pyetje, të cilave hetimi do t’iu japë përgjigje”, tha Hristijan Mickoski.

56 persona humbën jetën dhe mbi 150 të tjerë u plagosën si pasojë e zjarrit që shpërtheu në klubin e natës në orët e para të së dielës në Kocan të Maqedonisë së Veriut, pasi shkëndijat e mjeteve piroteknike të përdorura për efekt ndriçimi i vunë flakën çatisë. Qindra njerëz u turrën drejt daljes së vetme të sallës së vogël, teksa flakët përhapeshin përgjatë tavanit, duke lënë shumë prej tyre të bllokuar në aksidentin më vdekjeprurës të viteve. Një video e verifikuar nga Reuters tregon momentin kur nisi zjarri, teksa një grup muzikor luante në skenë. Dy flakërima lëshuan shkëndija të bardha në ajër, duke ndezur një copë tavanin. Pak sekonda më vonë filloi paniku.

Autoritetet kanë arrestuar rreth 20 persona në lidhje me ngjarjen, përfshirë zyrtarë të qeverisë dhe menaxherin e klubit të natës Pulse, që operonte pa licencë. Më shumë se 150 të plagosurit janë të shtruar në spitale në Shkup, Kocan dhe qytete të afërta, ndërsa 20 prej tyre janë në gjendje kritike. Familjarët kërkonin për të afërmit e tyre online dhe nëpër spitale rreth vendit, ndërsa jashtë spitalit në Kocan shumë njerëz përqafonin njëri-tjetrin dhe ndiznin qirinj. Nuk kanë munguar skenat e zemërimit dhe dhimbjes.

“Me lini ta them para të gjithëve. Më xhironi mua. Unë jam i vdekur. Humbja gjithçka. Kisha një djalë dhe e humba”, tha Dragi Stojanov.

Disa pacientë janë transferuar në Turqi, Bullgari, Serbi dhe Greqi për trajtim. Prokurori publik në Maqedoninë e Veriut, Ljupço Kocevski, tha se 5 prokurorë do të hetojnë incidentin. 7 ditë zie u shpallën në të gjithë vendin nga e hëna, me flamujt kombëtar që u lënë në gjysmë shtizë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos