Një 37-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë në Tiranë, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Përmes një njoftimi Policia bën të ditur se ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe ka sekuestruar thikën me të cilën ai dyshohet të ketë sulmuar.
Autori i dyshuar është një 28-vjeçar, i cili rezultoi se ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
I dëmtuari ka marrë asistencë mjekësore dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Plagosi në mesnatë me mjet prerës(thikë), për motive të dobëta një 37-vjeçar, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
I arrestuari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Gjendet dhe sekuestrohet mjeti prerës me të cilin autori plagosi 37-vjeçarin.
Menjëherë pas njoftimit rreth orës 00:10, për një plagosje me mjet prerës, në rrugën “Ndre Mjeda”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, organizuan punën dhe shkuan menjëherë në vendngjarje. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë identifikimi, kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar të plagosjes së 37-vjeçarit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr 2, arrestuan shtetasin G. P., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi G. P., ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
I dëmtuari ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)