Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar me anë një postimi në rrjetet sociale në lidhje me ngjarje e rëndë të Shkodrës, ku dyshohet se nëna me tre fëmijët e saj mund të jenë vetëmbytur në lumin e Bunës.
Balla shkruan se RENEA është duke vijuar kërkimet në lumin Buna, ndërsa i bën thirrje grave të denoncojnë çdo formë dhune.
“Ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna, na ka tronditur të gjithëve. Njësia e specializuar e RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna. Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.
Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, shkruan Balla. (A2 Televizion)