Transporti i fëmijëve në shkolla, mjetet nuk përmbushin kushtet, prindërit: Nuk kemi siguri me to

Nga Xhensila Kodra
15 Shtator 2025, 15:07 | Kronikë

“Me fillimin e shkollës ka nisur edhe ankthi i prindërve për transportin dhe sigurinë e fëmijëve gjatë kohës kur ata janë në punë. Disa prej prindërve shprehen se ose janë të detyruar të marrin leje në punë për të marrë fëmijët nga shkolla, ose në të kundërt, një pjesë e tyre thonë se merren nga gjyshërit”, raporton gazetarja e A2 CNN Xhensila Kodra.

“I sjellim ne nipërit në shkollë, prindërit ikin në punë herët”.

“E sjell vetë dhe e marrin gjyshërit, njëra nga palët duhet të sakrifikojë”.

Të tjerë thonë se nuk kanë besim që fëmijët e tyre t’i çojnë në shkollë me furgona edhe pse ka prindër që synojnë arsimimin e fëmijëve në shkollat larg qendrave të banimit.

“Nuk kemi besim tek furgona, nuk kanë siguri”.

Sipas një urdhri të brendshëm, policia e shtetit dhe ajo bashkiake duhet të ushtrojnë kontrolle të detajuara për drejtuesit e mjeteve që bëjnë transportin e nxënësve. Furgonat duhet të jenë me ngjyrë portokalli, të kenë mbishkimet “autobus shkolle”, si dhe numri i sediljeve të përputhet me numrin e nxënësve që hipin në to. Por nga një vëzhgim i bërë në disa shkolla publike nuk vumë re asnjë furgon me ngjyrë portokalli, fëmijë që kishin të vendosur rripin e sigurimit, si dhe numri i fëmijëve ne furgona është gjithmonë më i madh se vendet e mjetit.

Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibinin, theksoi se duhet rregullore e mirëfillët që të përcaltojë kompetencat dhe përgjegjësitë për mënyrën e transportit të nxënësve.

“Ka ardhur koha që duhet miratuar një rregullore sesi duhet të transportohen fëmijët nëpër shkolla. Nëse nxënësit nuk janë në shoqërimin e prindërve duhet të jenë nën kujdesin e shoqërimit të drejtuesit të mjetit”, tha eksperti Islam Qibini.

Si shqetësim ngre mungesën e vend qëndrimit apo vend ndalimin e këtyre fugonave që në jo pak raste bëhen shkaktarë edhe për bllokimin e rrugës.

Më herët zyrtarë të policisë deklaruan se uniformat blu janë të angazhuar se kanë nisur zbatimin e kontrollit në terren të drejtuesve të këtyre mjeteve, nëse veprojnë ose jo në përputhje me ligjin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos