
Qyteti i Sarandës tronditet sërish. Një 44-vjeçar i identifikuar si Artan Myrtaj u vra me armë zjarri në qytetin bregdetar. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10 të mëngjesit të kësaj të diele, në zonën e njohur si ish-agjencia. Plumbat përveç jetës së marrë të 44-vjeçarit Myrtaj, plagosën edhe një kalimtar të rastit.
Dyshohet se krimi është kryer nga dy persona që po lëviznin me motor dhe që kanë qenë me skafandra, të cilët kanë qëlluar disa herë në drejtim të Artan Myrtajt.
Policia e Sarandës ka nisur hetimet për këtë krim të rëndë, duke këqyrur vendin e ngjarjes dhe për të mbledhur provat e nevojshme që mund të çojnë në zbulimin e autorëve. Ndërkohë janë ngritur edhe pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës.
Artan Myrtaj nuk ishte një emër i panjohur për policinë, pasi ishte arrestuar më parë për veprën penale "përkrahje e autorit të krimit", në lidhje me një ngjarje kriminale të ndodhur në 17 korrik 2025 në Sarandë, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza. Ai njihej ndryshe edhe me nofkën “Tani i Ruzhdiut”. (A2 Televizion)