U arrestua në Shqipëri, gjendet i pajetë në burg bosi turk i kriptomonedhave

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2025, 14:16 | Kronikë
U arrestua në Shqipëri, gjendet i pajetë në burg bosi turk i

Faruk Fatih Özer, themeluesi i bursës së kriptomonedhave Thodex, i cili u arrestua në Shqipëri më 30 gusht 2022 në Shqipëri, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet turke, është gjetur i pajetë në burg.

Sipas mediave turke, bosi i kriptomonedhave, i cili u ekstradua në Turqi në prill të vitit 2023, u gjet i varur në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë në Tekirdağ.

Gjatë kontrolleve të kryera nga zyrtarët e burgut, u raportua se Özer ishte varur në banjën e qelisë së tij ku qëndronte vetëm dhe nuk mundi të shpëtohej pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore.

Trupi i Özer u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa zyra e Kryeprokurorit Publik të Tekirdağ nisi një hetim për incidentin.

Faruk Fatih Özer, i cili sipas mediave turke merrte mbështetje të rregullt nga njësia e mbështetjes psikologjike në burg, u arratis nga Turqia në vitin 2021 dhe u kap në Shqipëri.

Özer po gjykohej për mashtrim të shumë personave dhe përballej me një dënim me burg prej 11,190 vitesh e 6 muajsh në total për "krijimin, drejtimin dhe anëtarësimin në një organizatë kriminale", "mashtrim të rënduar" dhe "pastrim të produkteve të veprës penale". (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos