Morën peng dhe dhunuan një person, arrestohet vëllai i deputetit të PD dhe 2 të tjerë

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2025, 12:26 | Kronikë

Morën peng dhe dhunuan një person, arrestohet vëllai i deputetit

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në Devoll, ku u raportua se Alti Nallbati, vëllai i deputetit të Partisë Demokratike Bledjon Nallbati, por edhe shtetasit Marsel Buci dhe Trajan Çeliku, kishin dhunuar një person.

Uniformat blu sqarojnë se kanë ndaluar tre personat në fjalë, të cilët akuzohen se kanë marrë me forcë nga banesa  për motive të dobëta 32-vjeçarin Ilir Topçiu, të cilin e kërcënuan me jetë dhe më pas ushtruan dhunë fizike ndaj tij.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pas kallëzimit të bërë më datë 30.10.2025, nga shtetasi I. T., 32 vjeç, i cili deklaroi se më datë 27.10.2025, tre shtetasit M. B., T. Ç. dhe A. N., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe mbajtur për disa orë në një biznes privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan punën për kapjen e tyre.

Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll bënë ndalimin e shtetasve:  A. N., 42 vjeç, banues në Bilisht, dhe T. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Braçanj, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim; M. B., 37 vjeç, banues në Devoll, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim”, informon policia.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë marrë me forcë nga banesa shtetasin I. T., 32 vjeç, banues në fshatin Braçaj, Bashkia Devoll, i cili ishte me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe e kanë çuar në një biznes privat, ku është keqtrajtuar.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e motivit të saj.

Kujtojmë se gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, Alti Nallbati, i njohur si “Duçja” dhe vëllai i tij deputet, Bledion Nallbanti, u përfshinë në një konflikt fizik me një drejtues kamioni në qytetin e Devollit.

Nga pamjet që bën xhiron e rrjetit asokohe, shihet deputeti Bledion Nallbati që godiste me grusht shoferin, ndërsa edhe vëllai i tij u përfshi në konflikt duke dashur ta nxjerrë nga kamioni.

Në deklarimet e dhëna në prokurori, deputeti së bashku me vëllanë thanë se kamioni ka qenë me shpejtësi dhe mund t’i kishte goditur nga pas. Për të njëjtën çështje, 4 ditë më parë ligjvënësi opozitar u paraqit në SPAK, i thirrur si një person në dijeni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos