
Një 27-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Monza, pasi u kap me mbi 10 kilogramë kokainë të fshehur në automjetin e tij.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në periferinë e Monzës, ku oficerët e Skuadrës Fluturuese të Milanos dyshuan për shoferin që po udhëtonte me shpejtësi të ulët dhe shikonte vazhdimisht përreth. Kjo sjellje ngjalli dyshime, duke çuar në ndalimin e tij për kontroll.
Gjatë verifikimit, i riu shqiptar tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u arrestua pak më vonë. Hetimet zbuluan se automjeti ishte në emër të një shtetasi italian nga Sirakuza, ndërsa vetë shqiptari kishte precedent penal për vjedhje dhe pranim mallrash të vjedhura.
Pas kontrollit të imtësishëm të mjetit, policia konstatoi se bagazhi ishte modifikuar, dhe nën panelin e dyshemesë u gjet një ndarje e fshehtë, ku ndodheshin mbi 10 kilogramë kokainë, e ndarë në 9 blloqe.
I riu shqiptar u dërgua në paraburgimin e Monzës, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar origjinën dhe destinacionin e drogës. (A2 Televizion)
