
Gëzim Pasho është drejtuesi i mjetit i cili dyshonte se makinës së tij i ishte vendosur eksploziv por në fakt u gjet vetëm një GPS.
Pasho është inspektor i Inspektimit të Pyjeve në Korçë dhe ende nuk dihet se përse i është vendosur GPS makinës së tij.
Policia dyshon se autorët e mundshëm mund të kenë ngatërruar mjetin e Gëzim Pashos me djalin e tij, i cili në muajin shtator të vitit të kaluar u arrestua nga policia pasi i'u gjetën doza kanabisi dhe fishekë. Gëzim Pasho ka thënë në polici se nuk ka probleme me askënd.
Në njoftimin e Policisë thuhet: "Rreth orës 09.00 të datës 17.05.2026, në lagjen nr. 18, Korçë, në rrugën “Petraq Shomo”, në gomën e pasme të automjetit në pronësi të shtetasit G. P., është konstatuar një pako, e cila dyshohej se mund të kishte lëndë eksplozive. Policia rrethoi zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth. Në vendngjarje shkuan Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe për të kryer procedurat e nevojshme. Nga kontrolli i kryer nga këto shërbime, rezultoi se objekti i vendosur në automjet ishte një aparat GPS dhe jo lëndë plasëse. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që ka vendosur aparatin GPS".
(A2 Televizion)