
Një 26-vjeçar dhe një 29-vjeçar me banim në Grabian të Divjakës, janë arrestuar nga policia pasi u kapën me kanabis e kokainë, që ishin ndarë në doza gati për shitje, raporton A2CNN.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Operacionale”, në vijim të kontrolleve intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Flagranca”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit T. F., 26 vjeç, dhe A. H., 29 vjeç, të dy banues në fshatin Grabian, Divjakë”, thuhet në njoftim.
"Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e përgatisnin për shitje në zona të ndryshme. Shërbimet e Policisë, pas sigurimit të informacionit, organizuan dhe finalizuan ndërhyrjen në momentin që këta shtetas po lëviznin me automjet në fshatin Grabian, duke i kapur në flagrancë me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë të ndarë në doza, të cilat do t’i shisnin në zona të ndryshme. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesa u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra doza të tjera lënde narkotike (kokainë dhe kanabis), të cilat u morën në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e përdorur, një grirëse për përpunimin e lëndës narkotike, një peshore elektronike dhe 3 aparate celularë”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)