Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshon llojin e dënimit për Guxim Zenelajn, ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, të fajësuar për "fshehje të pasurisë".
Në Shkallën e Parë, Zenelaj u dënua me 6 muaj burg, dënim që u konvertua në Shërbim Prove për një periudhë 1 vjeçare, shkruan A2 CNN.
Apeli ka lënë në fuqi fajësinë, por ka ndryshuar dënimin alternativ nga Shërbim Prove në punë në interes të publikut.
Sipas Apelit, ish-gjyqtarini i lartë duhet të kryejë 100 orë punë të pa paguar në interes të publikut brenda 6 muajve të ardhshëm.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Tereza Merkaj (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 26.06.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 38 akti, datë 06.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi G.Z., ndaj vendimit nr. 26, datë 17.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 26, datë 17.03.2025, të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
Në zbatim të nenit 63 të K.Penal urdhërohet:
1- Pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim,
2- Zëvëndësimi i dënimit me burgim me detyrimin e të denuarit G.Z. për të kryer një punë në interes publik, për një kohë prej 100 orësh.
Puna në interes publik, të kryhet nga i dënuari brenda gjashtë muajve, duke filluar ky afat nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.
Detyrohet i dënuari G.Z. të kryejë llojin e punës, në vendin e kryerjes së saj dhe në ditët përkatëse të javës, sipas përcaktimeve të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
Detyrohet i dënuari G.Z. të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel, i ngarkohen të pandehurit G.Z.
4. Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
U shpall në Tiranë, më datë 26.06.2025. (A2 Televizion)