Efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, së bashku me mjetet e tyre, janë angazhuar në operacionin për gjetjen e tre trupave të raportuar të mbytur në lumin Buna, pranë fshatit Darragjat të Shkodrës.
Ekipet e efektivëve nga Batalioni i Forcave speciale dhe efektivëve nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile i bashkohen palombarëve të Repartit RENEA, Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, policisë së Shkodrës, Drejtorisë së Kufirit e banorëve të zonës, të cilët vijojnë kërkimet që prej ditës së djeshme.
Deri më tani, është gjetur trupi i vajzës 9 vjeçe dhe po kërkohet pa ndërprerje për trupat e nënës dhe 2 fëmijëve të tjerë.
Ngjarja tragjike
Dhuna në familje dyshohet të jetë bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës duke u vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit në Shkodër. Deri më tani, është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, ndërsa e zhdukur rezulton nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë, 8 vjeç, dhe një djalë, 3 vjeç. Edhe ata sipas policisë dyshohet se janë mbytur në lumë, ndërsa palombarët po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave.
Sipas burimeve për A2 CNN, bashkëshortja me tre fëmijët kishin dalë me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit dhe më pas janë ndarë në mënyrë të qetë, pa ngritur asnjë dyshim për aktin fatal që Alma Arrazi do të ndërmerrte. Gjithnjë sipas burimeve për A2 CNN, e reja kishte mësuar së fundmi një tradhti bashkëshortore nga i shoqi.
Arrestohet babai, dyshohet se ushtronte dhunë në familje
Menjëherë pas gjetjes së trupit të vajzës së mitur në pranga u vu babai Ergys Arrazi, i cili akuzohet për “Shkaktimin e vetëvrasjes”. Ka qenë vetë 31-vjeçari Arrazi, i cili ka denoncuar në polici me datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.
Për hetuesit, ai ka qenë i ftohtë gjatë dëshmisë së tij ndërsa dyshohet se ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes. Diçka të tillë e ka mohuar, ndërsa nuk ka shfaqur asnjë ndjesi edhe kur mori lajmin se njëra prej vajzave të tij është gjetur e pajetë në lumë.
Pas denoncimit për zhdukjen e tyre, ka qenë motra e gruas e cila i tha policisë për dhunën që ushtronte 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, ndërsa ka çuar në pranga Arrazin. (A2 Televizion)