Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha ndodhen në Gjykatën e Posaçme, ku do të verifikohet masa e sigurisë për ta.
Ish-ligjvënësi dhe Masha, i cili rezulton të jetë kunati i vëllait të tij u arrestuan mbrëmjen e 20 tetorit 2024 me urdhër të SPAK, ndërsa sot gjyqtari Erjon Bani do bëjë vlerësimin e masave të sigurisë “arrest në burg” vendosur ndaj tyre.
Seanca ndaj Çyrbjes dhe Mashës u ndërpre pak pasi nisi, me kërkesë të avokatëve për t'u njohur me aktet e dosjes, raporton A2 CNN.
Të hënën, Prokuroria e Posaçme dha detaje të hollësishme mbi akuzat që rëndojnë ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste. Sipas SPAK, në këmbim të votave në zonë, Çyrbja i siguronte Altin Hajrit, person i shpallur në kërkim, informacione për të shmangur kapjen e tij shkruan A2 CNN.
“Ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka pasur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”, thotë SPAK.
(A2 Televizion)