Policia e Fierit ka vënë në pranga një 24-vjeçar pasi akuzohet se ka vjedhur dy automjete brenda një jave në këtë qytet.
Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi me iniciale M. B., 24 vjeç, banues në Fier.
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, pas një jave hetime me metoda speciale, operacioni i koduar "The Robber".
Vodhi 2 automjete, për t’i shitur, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari. Sekuestrohen 2 automjetet e vjedhura.
Komisariati i Policisë Fier, pas kallëzimit nga një shtetase, se i kishin vjedhur automjetin që kishte në përdorim, kanë kryer hetimet me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “The Robber”, u ndalua shtetasi:
M. B., 24 vjeç, banues në Fier.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi M. B., gjatë një jave, ka vjedhur 1 automjet, të cilin e ka shitur në fshatin Barbullinjë, ndërsa automjetin tjetër e ka marrë me qira në Fier, me qëllimin për ta shitur në Sarandë.
Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të këtij shtetasi, në momentin që do shiste automjetin, në një servis në Sarandë, dhe më pas arrestimin e tij”, njofton policia.
(A2 Televizion)