
Policia e Korçës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vjedhjes së disa automjeteve në këtë qytet. Sipas policisë 42-vjeçari Leonard Shehu ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari.
Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet se 42-vjeçari Leonard Shehu, është autori i vjedhjes në 4 automjete të ndodhura një ditë më parë, në qytetin e Korçës.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një kasetofon, një pasaportë, një palë çelësa, një telefon i markës iPhone 13 Pro Max, një sasi lekësh dhe sende të tjera.

Njoftimi i Policisë Korçë
Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Finalizohet operacioni i koduar “Four”.
Zbardhen dhe dokumentohen 4 raste të vjedhjes së automjeteve në qytet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i tyre, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari.
Sekuestrohen sendet e vjedhura nga automjetet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, finalizuan operacionin e koduar “Four”.
Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. Sh., 42 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga veprimet hetimore, këqyrja e pamjeve filmike dhe informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet se ky shtetas është autori i vjedhjes në 4 automjete, ngjarje të ndodhura më datë 31.01.2026, në qytetin e Korçës.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një kasetofon, një pasaportë, një palë çelësa, një telefon i markës iPhone 13 Pro Max, një sasi lekësh dhe sende të tjera.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)