
Pas kallëzimeve të disa qytetarëve se iu kishin dhënë shuma parash, 2 shtetasve, të cilët i kishin mashtruar dhe nuk kishin blerë apartamentet e kërkuara në këmbim, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Agjentët e rremë”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit Elvis Ramca, 39 vjeç dhe Veriana Ziu, 34 vjeçe, bashkëjetues.
Nga hetimet e kryera dyshohet se 2 shtetasit iu kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, qytetarëve, duke iu premtuar se do t’iu blinin apartamente.
Pasi përvetësonin paratë, 2 shtetasit falsifikonin mandate banke, për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar.
Më pas, dokumentet false i paraqitnin dhe te përfaqësues të shoqërive në fushën ndërtimit, me qëllim lidhjen e kontratave fiktive, për shitblerje apartamentesh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)