Nën masa të rrepta sigurie dhe i shoqëruar nga dy furgona dhe efektivë të ndërhyrjes së shpejtë, është shoqëruar në gjykatën e Fierit, 23-vjecari Azgan Mërnica, autor i vrasjes se policit të forcave Shqiponja, Nevruz Cenalia, katër ditë më parë në fshatin Baltëz të Fierit.
Pjesë e masave ishte edhe veshja e tij të një jeleku antiplumb. Në seancën përcaktimin e masës së sigurisë të zhvilluar me dyer të mbyllura, Mërnicës nuk ju paraqit avokati i caktuar nga familja, ndërsa në seancë u përfaqësua me një avokate kryesisht.
Sakaq, gjyqtarja e kësaj seance, Dajana Ndrea vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë së Fierit për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për 23-vjecarin Mërnica për akuzën e vrasjes ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe armëmbajtje pa leje.
Edhe pse nuk jepen detaje nëse Mërnica ka folur gjatë seancës gjyqësore, burimet bëjnë me dije se përdorimi i armës ndaj punonjësit të policisë ka ardhur pas një konflikti të çastit. Sakaq, nuk ka asnjë të dhënë mbi armën e përdorur në këtë vrasje nga Azgan Mërnica. (A2 Televizion)