SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme të pushojë akuzat ndaj Lulëzim Berishës dhe Plarent Dervishajt, në lidhje me vrasjen e biznesmenit, Vajdin Lamajt, shkurtin e vitit 2005.
Pas më shumë se tre vitesh hetim, SPAK, ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për përfshirjen në krim të Berishës e Dervishajt, në arrati prej dhjetorit 2020. Ndonëse SPAK pritet të kërkojë edhe shfuqizim të masës “arrest në burg” për këtë çështje, Berisha e Dervishaj nuk “zhvishen” nga përgjegjësitë penale.
Kjo për faktin se ata janë duke u gjykuar në mungesë për vrasjen e Klodian Saliut, po në vitin 2005, në të njëjtin proces me Emiliano Shullazin dhe disa të tjerë.
Pas kalimit në gjykim të kësaj dosjeje, hetimi ndaj tyre mbi dyshimet për vrasjen e Lamajt u veçua. Hetimi i SPAK për dy ngjarjet e bujshme kriminale të vitit 2005 u ndihmua nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi. (A2 Televizion)