
Pasi ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë, Luftar Reçi, ka hedhur dritë mbi dy ngjarjet e pazbardhura për drejtësinë, vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut. Sipas tij, përfshirja në vrasjen e Klodian Saliut kishte qenë një marrëveshje me Lulëzim Berishën.
“Gjatë takimit, Luli më ofroi një marrëveshje, sipas së cilës, unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim”
Dëshmia e Luftar Reçit
Pasi kanë rënë dakord të shkëmbenin hasmët, së bashku me Indrit Taullain dhe Plarent Dervishajn, kanë studiuar lëvizjet e Saliut dhe të bënin prova për mënyrën e vrasjes, ndërsa Lulëzim Berisha ishte larguar në Turqi, me qëllim që të shmangte dyshimet. Mbrëmjen e 26 shkurtit 2005, pasi janë sinjalizuar se Klodian Saliu ishte futur në aksin Durrës-Maminas u vunë në veprim.
“Unë isha shofer. Indriti (Taullai) ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit, kurse Lenti (Plaurent Dervishaj) ishte ulur në sediljen e pasme. Pasi kaloi ''benzi'' në fjalë unë ndeza makinën dhe u nisëm në ndjekje të makinës ku ishte Klodi. E arritëm shpejt, por nuk e parakalonim dot për shkak të makinave të tjera. Diku mes Vorës dhe Durrësit i jemi afruar dhe jemi vendosur paralel me automjetin që drejtonte Klodi dhe nga dritarja e BMW-së kanë qëlluar me armë drejt tij. Indriti me pistoletë. Lenti me scorpions”
Dëshmia e Luftar Reçit
Sipas Reçit, pasi mjeti i Saliut ka përfunduar në kanal, ata kanë ndaluar dhe Indrit Taullai ka shkuar dhe e ka qëlluar nga afër tri herë, ndërsa pasagjerit të plagosur, i kishte thënë që nëse donte të shpëtonte, të mbyllte gojën. Në lidhje me vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj, Reçi ka rrëfyer se i kishte siguruar Lulëzim Berishës kontaktin me një tregtar armësh e minash, për përgatitjen e një bombe me telekomandë, për të cilën kishte paguar 1600 euro.
Sipas Reçit, mina i ishte dorëzuar Emiliano Shullazit dhe plani fillestar kishte qenë shpërthimi i saj në një automjet. Ndërsa pretendon se nuk e dinte shënjestrën, Reçi thotë se në takimet me Lulin kishte dëgjuar një bisedë.
“Indriti u shpreh se Tori (Viktor Ymeri nga burgu) ka gjetur njeriun e duhur për t’ia vendosur minën personit mu pas qafe”
Dëshmia e Luftar Reçit
Sipas Reçit, vrasjen e Lamajt e ka dëgjuar në media dhe se Berisha në një telefonatë i kishte thënë “këto janë punë të Indritit”. Për të njëjtën ngjarje, ka bërë edhe një bisedë me Viktor Ymerin në burg.
''Viktori më tha se edhe kur u vra Vajdini, unë nga burgu i gjeta njeriun që mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit, se ata nuk ia kanë haberin dhe dinë vetëm të hapen''. (A2 Televizion)
Dëshmia e Luftar Reçit