Vrasja e Egli Progës, prokuroria e cilëson “vrasje nga pakujdesia”

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
13 Gusht 2024, 14:36 | Kronikë

Gjykata e Korçës vendosi masat e sigurisë për katër personat mes të cilëve dhe autorin e dyshuar, të implikuar në vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga, mbrëmjen e së shtunës së kaluar në qytetin e Pogradecit.

Për autorin e dyshuar Denis Meçe gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë arrest me burg për akzuën e vrasjes nga pakujdesia. Ndërsa për tre personat e tjerë, gjykata vendosi detyrim paraqitje, pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Ngritja e akuzave dhe masat e sigurisë të vendosura nga gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Korçës kanë ngjallur reagimin e familjarëve të të ndjerit, ku e motra deklaroi se këto veprime të drejtësisë po e vrasin për herë të tretë vëllain e saj.

Sakaq, Prokuroria e Korçës nuk ka bërë të ditur se mbi çfarë provash ka ngritur akuzën e vrasjes nga pakujdesia ndaj Denis Meçes, për sa kohë dëshmitarët okularë në vendngjarje e kanë parë që ai ka goditur viktimën, i cili pas rrëzimit ka gjetur vdekjen. Që në momentet e para të kësaj ngjarje të rëndë u ngritën dyshime që policia e Pogradecit ka tentuar ta devijojë dinamikën e ngjarjes, duke e orientuar si një vdekje aksidentale nga rrëzimi. Për këtë arsye Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar një inspektim në komisariatin e policisë së Pogradecit në lidhje me veprimet e kryera për këtë ngjarje që nga momenti i parë i marrjes së njoftimit e deri në arrestimin e personave përgjegjës të dyshuar.

Edhe institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar verifikimin e veprimeve të policisë me qëllim zbardhjen e së vërtetës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos