Vrasja e Ermir Dedjas, arrestohen dy persona në Durrës, shpallet në kërkim një tjetër

Nga A2 CNN
4 Qershor 2025, 10:09 | Kronikë

Policia e Durrësit ka arritur të zbardhë dhe dokumentojë plotësisht vrasjen e Ermir Dedjas, të ndodhur më 20 maj në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar.

A2 CNN mëson se në pranga për këtë ngjarje kanë përfunduar shtetasit Erion Ndoni dhe Klodian Berisha, ndërsa është shpallur në kërkim Xhuljano Dyrmishi.

Në vijim të veprimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit E. D., 2 javë më parë, në lagjen nr.18, në Durrës, bazuar në provat e siguruara nga hetimi:

-u ndaluan shtetasit E. N., 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur dhe K. B., 35 vjeç, banues në Durres, për veprën penale "Kontrabanda me mallra të tjera"; 

-u shpall në kërkim shtetasi Xh. D., 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje" dhe ‘Kontrabanda me mallra të tjera’”, informon policia.

Në total shkon në 5 numri i shtetasve të identifikuar si të përfshirë në vrasjen e 29-vjeçarit, pasi 2 ditë pas ngjarjes, policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 2 shtetas të tjerë, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje.

Në kuadër të hetimeve, 2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin shqiptar E. N., 44 vjeç, banues në fshatin Rrashbull dhe shtetasin maroken M. D., 46 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”. Të 3 shtetasit e shpallur në kërkim rezultojnë jashtë vendit. Vijon puna në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e tyre”, sqaron më tej policia.

Në njoftim, policia sqaron se nga hetimet rezulton se Erion Ndoni Klodian Berisha dhe Xhuljano Dyrmishi, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kontrabanduar në Shqipëri, 2 automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së 29-vjeçarit.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tjetër tip “Seat”, i cili ishte kontrabanduar me qëllim për t’u përdorur për një ngjarje tjetër kriminale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos