Vrasja e Martin Canit, Apeli urdhëron vlerësim të ri psikologjik për 14-vjeçarin e shpallur fajtor

Nga Armand Bajrami
3 Qershor 2026, 14:27 | Kronikë

Vrasja e Martin Canit, Apeli urdhëron vlerësim të ri psikologjik

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka urdhëruar një vlerësim të ri psikologjik për të miturit e përfshirë në ngjarjen ku u vra 14-vjeçari Martin Cani.

Gjatë gjykimit në Apel të M.P., të fajësuarit për krimin, treshja gjykuese ka caktuar ekspertë për një vlerësim të ri psikologjik ndaj të akuzuarit, por edhe ndaj L. M., i plagosur në ngjarje.

Seanca e radhës në Apel është caktuar më 10 qershor.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës e dënoi me 16 vite burg, 14-vjeçarin Mario Përlleshaj, pasi e shpalli fajtor për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani.

Ngjarja tragjike ndodhi më 18 nëntor 2024, në Tiranë, rreth 200 metra larg shkollës “Fan Noli”.

Konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur tri ditë para ngjarjes, brenda ambienteve të shkollës për motive të dobëta. Edhe pse në dukje ishte shuar, konflikti u rindez sërish brenda shkollës.

Të dy të miturit u përplasën në tualetet e shkollës gjatë paradites kur ndodhi ngjarja dhe debatuan ashpër, por u ndanë nga roja i sigurisë, shkruan A2 CNN.

Pas mësimit, të shoqëruar nga miqtë e tyre, ata u takuan pranë shkollës, ku konflikti u përshkallëzua në një përleshje fizike, duke përfunduar me vrasjen e Martinit dhe plagosjen e Luis Meçes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos