
Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme për padinë e biznesmenit Anduel Çekrezi ndaj deputetit Erion Braçe për shpifje, ky i fundit mbrojti deklaratat e tij duke theksuar se ato janë bërë në ushtrim të mandatit parlamentar dhe në mbrojtje të interesit publik.
Braçe u deklarua i pafajshëm dhe tha se qëndrimet e tij lidhen me mbrojtjen e pronës publike dhe pasurive natyrore, duke theksuar se nuk ka shpifur apo fyer askënd.
“Termat “zengjin” dhe “aga” nuk kanë komente fyese, i kam dhënë tituj që nuk i meriton. Janë tituj për kohën osmane dhe janë njëlloj si titujt që shpërndahen sot. Turqit kështu e kishin. Mua më vjen keq edhe për diçka se në qoftë se unë kam thënë ky zotëria është grabitës atëherë po. Po tani mos të dish gjuhën shqipe ky nuk është problemi im, është problemi i formimit të zotërisë. Dhe njëherë më çdo gjë që kam shkruar e kam thënë në sallën e kuvendit i janë referuar kushtetutës dhe rregulloreve në fuqi. Po e përsëris qëndrimi i zotërisë është që unë të mbyll gojën për një tokë të pasurisë natyrore që i përket jo vetëm shtetit po gjithë shoqërisë shqiptare".
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Olsi Dado, vlerësoi se deklaratat e deputetit kanë nisur në Kuvend dhe më pas janë shpërndarë në rrjetet sociale në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij. Sipas tij Braçe ka vepruar me bindjen se po mbron interesin publik dhe nuk ka pasur interes personal.
“Shprehje si ‘aga’ apo ‘zengjin’ nuk përbëjnë shpifje, por synojnë sensibilizimin e opinionit publik”, u shpreh Dado, duke shtuar se deputeti ka ngritur shqetësime të banorëve për regjistrimin dhe përdorimin e tokave në zonën e Semanit.
Pjesë nga deklarata në seancë e deputetit Braçe dhe prokurorit Dado
Braçe: E nderuar gjyqtare, shumë faleminderit qe më lejoni që këtë çështje ta zgjidh në rrugë gjyqësore. Faleminderit që erdhi momenti që këtë çështje ta diskutojmë këtu në gjykatë. Në vendin tonë mund të flasësh të flasësh dhe ke përpara zyrtarë që nuk përmbushin ligjin, edhe kur ti i thua që ka një ligj në fuqi ata përsëri thonë nuk e njoh atë ligj. Kështu që kjo është një mundësi shumë e mirë. Se thelbi i padisë qe është kryer ndaj meje në cilësinë e deputetit, por synon të legjitimojë arë pronën atje dhe qe synon ti mbyllë gojën një deputeti të Republikës.
Po jam deputet i parlamentit, dy dokumente kam unë; e para kushtetuta që garanton lirinë e shprehje, sepse kuvendi nën pushtetin e lirisë së deputetit për t’u shprehur praktikisht humbet sovranitetit.
Në krahun tjetër është rregullorja që rregullon punën time çfarë duhet të bëj. Kjo fillon me betimin e deputetit. S’po ju marr kohën të citoj nenet respektive, por unë kam zgjedhur të mbroj interesin publik që është një element shumë i rëndësishëm dhe mbi të gjitha po nuk mbrojte pronën publike deputeti i ka hequr funksionalitetin. Kushtetuta është e qartë.
Kushtetuta thotë prona private dhe prona publike mbrohet njëlloj. Madhe kur prona publike kur në 36 vjet ka qenë gjëja më e lehtë për t’u marrë, për t’u tjetërsuar, për tu bërë biznes, në kushtet kur zyrtarët e korruptuar kanë hequr dorë nga bërja e detyrës për të bërë para për vete, patjetër që veprimtaria është kyçe. Tani mbylle gojën mos flit më vjen e përsëritur.
Unë po i hyj se si është marrë ajo tokë, por unë them siç është mënyra si përfitojnë zengjinët e rinj. Qe nga 1958 nga presidiumi, ligji për burimet ujore është shumë i qartë. Dhe po ndalem tek ligjet e 1994 e më tej, është refuzuar zbatimi i ligjit nga të gjithë. Ligji thotë shumë qartë.
Në lumenjtë e mbrojtur me argjinaturë, është pronë e shtetit dhe administrohet nga shteti. Ky është ligji. Sot më kanë sjellë në gjyq, avokati thotë që ky deputeti nuk do ta dijë për pronën, por ajo është e patjetërsueshme.
E nderuar, termat zengjin dhe aga nuk kanë komente fyese, i kam dhënë tituj që nuk i meriton. Janë tituj për kohën osmane dhe janë njëlloj si titujt që shpërndahen sot. Turqit kështu e kishin. Mua më vjen keq edhe për diçka se nëqoftëse unë kam thënë ky zotëria është grabitës atëherë po. Po tani mos të dish gjuhën shqipe ky nuk është problemi im, është problemi i formimit të zotërisë. Dhe njëherë më çdo gjë që kam shkruar e kam thënë në sallën e kuvendit i janë referuar kushtetutës dhe rregulloreve në fuqi. Po e përsëris qëndrimi i zotërisë është që unë të mbyll gojën për një tokë të pasurisë natyrore që i përket jo vetëm shtetit po gjithë shoqërisë shqiptare.
Kur një kategori zyrtarësh kanë shkelur ligjin dhe kanë kryer tjetërsimin do ishte një cenim i punës së deputetit. Të mos dish gjuhën shqipe i vogël është çështje e zgjidhshme nga shkolla, po të mos dish gjuhën shqipe në moshë madhore është problem.
Faleminderit për mundësinë sepse kjo çështja e pasurive natyrore shumë shpesh mund të çojë në konflikte sociale dhe i qëndroj që toka e Semanit sipas ligjit është e Semanit dhe as kam shpifur as fyer.
Prokurori Ols Dado: Ajo çfarë është thënë nga deputeti kanë nisur në sallën e kuvendit dhe më pas janë shtrirë në rrjetet sociale dhe ne çmojmë se këto deklarime janë bërë gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Në vlerësimin e SPAK, Brace është i bindur që po ushtron mbrojtjen e interesit publik, dhe ky është fakt që po mbron interesin publik dhe s’ka interes personal. Ndaj ushtrimi i mandatit për interesin publik duhet të na bëjë më tolerante ndaj lirisë së shprehjes.
Braçe thotë aga thotë aga thotë zengjin, ne vlerësojmë që këto shprehje nuk janë shpifje. Ka qëllim të sensibilizohë opinionin publik.
Kjo demonstron edhe pafuqinë e vetë deputetit i cili reagon, s’po merrem me tokën duhej apo të regjistrohej se kjo me sa duket po hetohet nga një prokurori tjetër. Deputeti shpreh shqetësimin e banorëve të zonës dhe zënien e tokës me panele fotovoltaike pas bindjes se kjo tokë nuk duhej regjistruar. (A2 Televizion)