Vrasja e Pjerin Xhuvanit, gjykata e Apelit dënon me 7 vite burg Arbër Paplekajn

Nga A2 CNN
1 Korrik 2024, 16:15 | Kronikë

Gjykata e Apelit ka dënuar me 7 vite burg, Arbër Paplekajn, pjesë e grupit për mbrojtjen e votës, drejtuar aso kohe nga Gazment Bardhi. Vendimi u dha ditën e sotme, ku gjykata shpalli fajtor Paplekajn për akuzën "vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike".

“Deklarim fajtor të Paplekajt për "vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike" dhe dënimin e tij me 7 vjet”, thuhet në vendim e Gjykatës së Apelit.

Në shkallën e parë Paplekaj ishte dënuar me 22 vite burg për "vrasje në rrethana cilësuese". 

Ndërkohë, për ish-efektivët e akuzuar për “shpërdorim detyre”, Apeli vendosi që t’i shpallte të pafajshëm. Bëhet fjalë për dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, si edhe efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja, Eldjo Beko dhe Besmir Kadiu.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 21 prill 2021 në mesin e fushatës elektorale ku mbeti i vdekur, Pjerin Xhuvani nga shtabi elektoral i PS-së, për të cilën PD-ja pretendonte se po blinte vota, e ndërsa u plagosën efektivja e policisë Xhensila Sota, edhe tre persona të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos