Policia e Shtetit reagon sërish për vrasjen e 14-vjeçarit, i cili u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës Fan Noli, në kryeqytet. Sipas policisë, një serë burimesh të hapura janë angazhuar për të dezinformuar opinionin publik lidhur me autorësinë e ngjarjes. Kërkon që ngjarja të mos dezinformohet, pasi është tejet e rëndë.
“Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”.
Reagimi i policisë vjen pas dëshmisë së 14-vjeçarit që mbeti i plagosur dhe babait të tij, të cilët ngritën pretendime se ka patur autor të dytë në ngjarje që ka goditur me thikë.
Pas reagimit të policisë, politikisht e dha reagimin ministri i brendshëm Ervin Hoxha.
“Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik. Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit. Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë blofin e madh të politizimit apo tregtimit mediatik të vdekjes”.
Vrasja e të miturit ndodhi rreth 200 metra larg shkollës Fan Noli, mesditën e 18 nëntorit. Kjo ngjarje solli reagime të shumta në opinionin publik duke bërë që prindër e qytetarë të nisnin protestat pranë shkollës dhe ministrisë së arsimit. (A2 Televizion)