Julian Gjoshi, autori i vrasjes së Alfred Dedjas në Ndroq ka pohuar para grupit hetimor se krimin e kreu pasi ndihej i ofenduar nga 50 vjeçari.
Sipas tij, Alfred Dedja e ofendonte sa herë që takoheshin, madje edhe tek persona të tjerë.
"Ndihesha i ofenduar, pasi sa herë që takoheshim më shante e ofendonte. Jemi takuar edhe 10 ditë para ngjarjes dhe sërish më ka ofenduar. Të dielën e kam marrë në telefon dhe i kam thënë “hajde se po të pres për kafe”. Sapo u ul e qëllova me armë. Unë atë e kam mbajtur me lekë e bukë kur punonte menaxher te “Golden”, pronë e familjarëve të mi. Pasi kreva vrasjen u largova menjëherë dhe pistoletën e hodha jo shumë larg nga lokali, në anë të disa shkurreve", ka thënë polici Gjoshi.
27-vjeçari nga Shijaku u vetëdorëzua në polici një ditë pasi vrau me armë 50-vjeçarin në një lokal në Ndoq, pasditen e së dielës.
Pas krimit, policia gjeti të braktisur makinën e tij, në Shkallnur të Shkëmbit të Kavajës. Ndërsa vetë i riu kishte qëndruar po në atë zonë në një hotel. Julian Gjoshi pritet të dalë para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. (A2 Televizion)