Zbardhet vendimi i GJKKO, rasti "Gëllçi" la në "arrest shtëpie" Jamarbër Malltezin

Nga A2 CNN
8 Prill 2025, 18:25 | Kronikë

Përpjekjen e tij ligjore të radhës për t’u liruar nga masa e “arrestit në shtëpi” Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit, Sali Berisha, e bazoi në vendimmarrjen e Gjykatës së Strasburgut për rastin “Gëllçi kundër Shqipërisë”.

Referuar vendimit të Gjykatës Eurpiane të të Drejtave të Njeriut, që në shqyrtimin e ankimit të ish-drejtuesit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, konstatoi shkelje të Konventës për periudhën e mbajtjes në paraburgim, avokatët e Malltezit kërkuan shfuqizimin e masës “arrest në shtëpi”.

Arsyetimi i mbrojtjes, jo vetëm që nuk bindi Gjykatën e Posaçme, por duke u bazuar edhe vendimin e Strasburgut për rastin “Gëllçi kundër Shqipërisë” gjyqtarja Flojera Davidhiu vendosi të refuzojë kërkesën për liri të Malltezit.

Sipas vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Posaçme për vendimin e 5 marsit, një kopje e të cilit u sigurua nga A2, duke ju referuar vendimit të Strasburgut, avokatët e Malltezit kanë pretenduar se nuk ekzistojnë më kushtet e masës së sigurimit të “arrestit në shtëpi”.

Duke ju referuar Strasburgut, i akuzuari për “korrupsion” dhe “pastrim parash” në dosjen “Partizani” ka pretenduar se SPAK nuk kishte asnjë provë, që të tregonte rrezik të largimit të tij, apo të manipulimit të dëshmitarëve.

Në këtë gjykim prokurori i posaçëm, Arben Kraja, ka kërkuar të mos merrej në konsideratë vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi sipas tij, rasti “Gëllçi” nuk kishte asnjë lidhje me rastin “Malltezi”.

Por ndryshe ka vlerësuar gjykata, që u bazua në vendimin e sjellë nga mbrojtja për të vijuar izolimin shtëpiak të Malltezit.

“Në vlerësim të Gjykatës, praktika e fundit e sjellë nga GJEDNJ-ja, në lidhje me çështjen ‘Gëllçi kundër Shqipërisë’, ka ritheksuar edhe njëherë rëndësinë e respektimit të kushteve dhe kritereve për caktimin e masës së sigurimit ndaj një personi të dyshuar për kryerjen e një vepre penale, dhe se një masë nuk mund të qëndrojë në fuqi më gjatë seç është e nevojshme. Në rastin në gjykim, pasur në konsideratë sa më sipër u evidentua, veprat penale për të cilat është nën akuzë z. Malltezi, moshën e tij, lidhjet e tij me Shqipërinë, mundësinë për të rifilluar jetën edhe jashtë vendit, të gjitha këto, të marra së bashku, në vlerësim të gjykatës, justifikojnë masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, dhënë në ngarkim të tij”.

Jamarbër Malltezi qëndron në “arrest shtëpie” prej nëntorit të vitit 2023, ndërkohë që dosja “Partizani” në të cilën është i pandehur ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak në gjykatën e Posaçme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos