Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga dy vëllezër të cilët dhunuan dhe më pas i morën automjetin një 41-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në garazhin e një pallati në Yzberisht, ku dy vëllezërit për motive të dobëta, dhunuan 41-vjeçarin dhe më pas i kanë marrë automjetin.
Policia njofton se automjeti i vjedhur u gjet afër banesës së 2 vëllezërve dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i DVP Tiranë
Finalizohet operacioni i koduar “Motivi”.
E dhunuan për motive të dobëta dhe më pas i morën automjetin, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër).
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale automjeti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se një shtetas e kishin dhunuar dhe më pas i kishin marrë automjetin, kanë organizuar operacionin e koduar “Motivi”, për zbardhjen e rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i operacionit, u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit B. H., 44 vjeç dhe E. H., 36 vjeç, të dy banues në Tiranë (vëllezër).
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në garazhin e një pallati në Yzberisht, për motive të dobëta, kanë dhunuar shtetasin I. Zh., 41 vjeç, dhe më pas i kanë marrë automjetin atij.
Automjeti i vjedhur u gjet afër banesës së 2 vëllezërve dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
(A2 Televizion)