Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, e drejtuar sipas hetimeve nga Franc Gergely, i njohur edhe si Franc Çopja, dhe Ervis Çela.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, organizata dyshohet se ka organizuar dhe realizuar trafikimin e të paktën 60.7 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt tregjeve europiane gjatë periudhës 2019–2021. Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023, ndërsa kërkesa për gjykimin e 16 të pandehurve është depozituar më 5 nëntor 2026 në Gjykatën e Posaçme.
Nga hetimet, të mbështetura edhe në komunikimet e zbërthyera nga platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, SPAK dyshon se struktura kishte një organizim vertikal dhe bashkëpunonte me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Ervis Çela dhe Franc Gergely kishin funksione bashkëdrejtuese, duke koordinuar hallka të ndryshme të trafikut, nga sigurimi i kokainës në Amerikën e Jugut, financimi dhe transportimi i saj, deri te nxjerrja nga portet europiane dhe shpërndarja në disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Britaninë e Madhe dhe Italinë.
Kokaina dyshohet se transportohej nga Bolivia drejt Paraguajit dhe më pas fshihej në ngarkesa me produkte të ligjshme, si bojëra dhe materiale industriale, për t'u dërguar me kontejnerë drejt Europës. Në këtë aktivitet dyshohet se përdoreshin edhe mekanizma informalë të transferimit të parave, si sistemi Hawala dhe kodet identifikuese të njohura si “token”.
SPAK bën me dije se gjatë hetimeve janë dokumentuar disa episode të sekuestrimit të sasive të mëdha të kokainës në portet europiane. Ndër rastet më të rëndësishme përmendet sekuestrimi i rreth 17 tonëve kokainë në Hamburg të Gjermanisë, në shkurt të vitit 2021.
16 persona të dërguar për gjykim
Në mesin e të pandehurve janë Franc Gergely (Franc Çopja), Ervis Çela, Fadil Balla, Riza Çela, Ardjan Çela, Maringlen Mullaj, Petrit Lakatos, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Soni Pepa.
Tre persona të tjerë, Albin Çela, Elidon Çela dhe Denis Daja, akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla akuzohen për pastrim parash në bashkëpunim.
Disa prej të pandehurve përballen gjithashtu me akuza për organizim të trafikut të narkotikëve, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.
SPAK sekuestron pasuri me vlerë rreth 9.1 milionë euro
Një pjesë e rëndësishme e hetimit ka qenë gjurmimi i pasurive që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi disa pasuri të paluajtshme, subjekte tregtare, llogari bankare, automjete dhe shuma monetare.
Mes pasurive të sekuestruara janë aktiviteti tregtar “Solis Farm” në Baldushk të Tiranës, prona dhe kapanone industriale në zonën e Sharrës, resorti “Ajman Park” në Durrës, një vilë në kompleksin turistik “Ionian Olea” në Dhërmi, si dhe kuotat e shoqërisë “Check Company” dhe 25 automjete në pronësi të saj.
Gjithashtu, janë sekuestruar 130 mijë euro cash dhe shuma të tjera monetare në llogari bankare.
Vlera totale e pasurive dhe shumave monetare të sekuestruara përllogaritet nga SPAK në rreth 9 milionë e 181 mijë euro.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet gjyqësore të disa shteteve, përfshirë Holandën, Gjermaninë, Francën, Spanjën, Italinë, Paraguajin, Brazilin dhe Ekuadorin.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë në një procedim të veçuar, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm, dokumentimin e veprave penale dhe gjurmimin e pasurive që mund të burojnë nga aktiviteti kriminal. (A2 Televizion)