Një 64 vjeçar nga Shkodra ka luajtur me dhembshurinë e të paktën pesë të moshuarve në Tiranë, të cilëve duke ju prezantuar si mik i fëmijëve të tyre në emigracion, apo që nuk jetonin më, ju ka zhvatur para.
Në episodet e dokumentuara nga Prokuroria e Tiranës, viktima të skemës mashtruese të të pandehurit, Liridon Lito kanë qenë një katër gra të moshave 74, 82, 85 dhe 78 vjeç, si edhe një burrë 79 vjeç. Shumat e parave të marra nga secili varionin nga 6 deri në 20 mijë lekë të rinj dhe episodet janë shënuar në periudhën korrik 2024 - maj 2025.
Kallëzimi i të moshuarve e çoi në qeli 64 vjeçarin. Pak ditë më parë, në përfundim të gjykimit, ai u dënua me 3 vjet burg për “mashtrim” nga Gjykata e Tiranës, dënim që u ul në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Por si futeshin në kurth të moshuarit?
Referuar vendimit të gjykatës, të siguruar nga A2, teksa jetonte në një hotel në Tiranë, 64 vjeçari fillimisht siguronte informacion mbi gjendjen familjare të viktimave të tij. Në vijim ai paraqitej në banesat e tyre të ndodhura në zona të ndryshme të kryeqytetit. Duke ju prezantuar si mik, apo fqinj i fëmijëve të tyre, që jetonin në Gjermani, Amerikë e Suedi, Lito ju kërkonte para me pretendimin se i ishte prishur makina, apo se i duheshin për dokumente pronësie, me premtimin se do jua kthente. Tek një nga viktimat i pandehuri është paraqitur si mik i djalit të saj të ndjerë.
Në asnjë prej rasteve, bujaria e të moshuarve nuk u kthye pas. Gjatë gjykimit, 64 vjeçari është shprehur pendesë dhe ndjesë për të dëmtuarit prej tij.
“Jam i sëmurë dhe nuk kam dëshirë të vdes në burg”, është shprehur ai para gjykatës. (A2 Televizion)
