Dy vatra të qëllimshme zjarri janë aktivizuar mbrëmjen e të shtunës në njësinë Dardhas midis fshatrave Grunjas dhe Prenisht. Vatrat e zjarrit kishin përfshirë sipërfaqe me bimësi dushku.
Drejt zonës në orët e para të mëngjesit kanë shkuar mbi 15 persona nga pyjorja, zjarrëfiksja e bashkë edhe me banorë të zonës për të izoluar vatrat e zjarrit, shkruan A2 CNN.
Aktualisht, dy vatra janë izoluar dhe fikur dhe po monitorohen nga afër për të mos lejuar riaktivizimin e tyre, ndërkohë është duke u punuar në një vatër të tretë në zonën midis Dardhas -Prenisht e cila ka rënë mëngjesin e të dielës.
Sipas të dhënave situata është nën kontroll, ndërsa do të kryhen edhe veprimet hetimore për të gjetur personin që ka vendosur qëllimisht zjarret.
Një ditë më parë, dy vatra zjarri ishin aktive në njësinë e Çerravës, të cilat janë izoluar dhe fikur pa dëme të mëdha. (A2 Televizion)