Rreth 8 mijë vite më parë, në vendin ku sot shtrihet qyteti i Pogradecit, ka qenë i zhvilluar me banesa katërkëndore, me struktura druri dhe me mure balte të pjekur.
Të paktën kjo po kuptohet nga gërmimet që kanë nisur në këtë qytet, të cilat i përkasin periudhës së neolitit.
“Ndodhemi në zemër të vendbanimit, i cili fillon diku në fillim të mijëvjeçarit të gjashtë para Krishtit dhe fundi i jetesës në këtë vendbanim duhet të jetë në fund të këtij mijëvjeçari. Vendbanimi i neolitit ndodhet rreth 1 metër poshtë sipërfaqes së tokës dhe ne jemi fokusuar pikërisht në rrënojat e banesave të ndërtuara me konstruksion drurësh dhe të veshura me baltë”, tha Edlira Andoni, arkeologe, shkruan A2.
Jo shumë larg qytetit të Pogradecit, në afërsi të fshatit turistik të Linit, kanë nisur gërmimet për banesat palafite mbi liqen, të cilat gjithashtu i përkasin periudhës para Krishtit. (A2 Televizion)