Balkan Film Food Festival, Eno Milkani: Në odeonin e Pogradecit për 14 vite traditë

Nga A2 CNN
26 Qershor 2024, 15:24 | Kulturë

Regjisorë, producentë dhe studentë të kinematografisë që konkurrojnë për çmime në dy kategori filma të shkurtër dhe filma të gjatë. Është kujdesur sërish Eno Milkani ta sjellë këtë konpeticion tanimë si traditë në qytetin e Pogradecit.

Sipas kineastit që realizon këtë festival prodhimtaria ka hyrë në rrugën e duhur sidomos në Shqipëri teksa vihet re se më shumë filma po prodhohen në mënyrë të pavarur sesa nga ata që mbarojnë shkollën.

“Këtë vit është rritur prodhimi i filmave për faktin që ka shumë indipendentë që punojnë, shkolla e filmit është shumë e domosdoshme por mos harrojmë që ka njerëz të cilët janë autodidaktë e mësojnë shkollën nga YouTube dhe bëjnë super filma. Dhe  ve re që shumë filma cilësorë nuk janë filma studentë por indipendentë dhe bile vijnë edhe shumë filma të gjatë që janë indipendentë dhe kjo gjë të bën të mendosh që Shqipëria ka filma të tillë, janë komercialë dhe jo autor, por mendoj se shumë shpejt do të kemi edhe filma autorë sepse koha ecën, ti nuk do presësh më financimin e qendrës së filmit apo bashkëprodhuesit, sepse e gjitha është çështje lekësh, ndaj mendoj se kur këta autorë të gjejnë mbështetjen e nevojshme, do të kemi më shumë filma të tillë. Sa përket filmave që kemi në konkurrim këto 4 ditë, janë filma që trajtojnë tema të ndryshme, të të rinjve, të moshës së tretë, tema sociale, të problemeve midis babait dhe fëmijëve, ngacmimet seksuale, filma që trajtojnë çështje të problemeve mendore, pra  është një gamë shumë e gjerë”, tha Milkani.

Këtë vit në ekranin e madh të kinemasë do të përcillen jo vetëm filmat konkurrues, por edhe produksione që dalin nga Arkivin Qendror i Filmit, por jo nga pluhurosja, filmat e restauruar deri më tani.

“Filmat që do të shfaqen në Odeon janë filma të restauruar shqiptarë, të titruar në anglisht për të gjithë pushuesit që nuk janë shqip folës, në këtë sezon turistik që ka filluar tashmë në Pogradec, për këtë kemi pasur mbështetjen e Arkivit Qendror të Filmit Shqiptar. Jemi shumë të lumtur dhe mezi po e prisnim ta fillonim këtë edicion të 14-të”, tha Gerta Qurku.

Ky festival tashmë i përket Pogradecit dhe krahas filmave është një promotor shumë i mirë i qytetit, kulinarisë dhe vlerave kulturore që ky qytet ka.

“Është edicioni i 14-të që Festivali Ballkanik i Filmit zhvillohet në Pogradec, tashmë mund të quhet edhe festivali i Pogradecit sepse janë 14 vite që ky festival shpalos vlerat jovetëm të artistike të filmave të Ballkanit por edhe kulturën e gjithsecilit që merr pjesë në këtë festival. Në këto momente ne jemi epiqendra e Ballkanit ku të gjithë janë me sy dhe mendje në Pogradec. Pra Pogradeci do të jetë Pogradeci i filmit, turistëve, luleve, freskisë dhe i të gjithëve. Vetë festivali ka edhe vazhdimësinë e kulinarisë, shpalosja e këtyre vlerave janë edhe një promovim për qytetin tonë, për t’i njohur sa më shumë vlerat e tij edhe në art, kulturë por edhe pogradecarët si artdashës”, tha Entela Gusho, nga Bashkia Pogradec.

Festivali i Filmit do të mbyllet në datë 29 qershor, mbrëmje në të cilën do të ndahen edhe tre çmime ai për filmin e gjatë më të mirë, një për filmin e shkurtër dhe një për dokumentarin më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos