Në hollin e Teatrit “Bylis” dhe në galerinë “Vilson Kilica” u ekspozuan punimet e 208 fotografëve nga 58 vende të botës, duke sjellë për publikun histori, ndjenja dhe realitete që kalojnë kufijtë e një imazhi.
Por, “Fokus Award” lindi si një garë për imazhin dhe si e tillë përcaktoi edhe më të mirët, shkruan A2.
Çmimin e parë në kategorinë “Temë” e fitoi fotografi iranian Majid Hojati, me veprën “Fundi i një perspektive si vizion”. Ndër fituesit shqiptarë, juria veçoi me çmime të treta fotografët Neritan Trifoni në kategorinë “Njerëzit” dhe Vlasov Sulaj në kategorinë “Temë”.
Në këtë edicion u nderuan edhe në kujtim Alqi Golkoshi dhe Leon Cika, për kontributin e tyre të vyer në zhvillimin e fotografisë shqiptare.
Arben Alliaj, drejtor i Fokus 16, u shpreh: “Fokus nisi si një nismë lokale vite më parë, për t’u shndërruar sot në një laborator të shpirtit njerëzor. Në këtë aktivitet bota vjen në të gjitha dimensionet e saj dhe secili shtet vjen me momentet më pikante të aktualitetit, duke i dhënë identitet secilit pjesëmarrës”.
Në morinë e imazheve, u reflektuan plagët e botës moderne dhimbja, uria dhe pasojat e konflikteve të ngrira në një kornizë, si çaste pa kufij.
Në një kohë kur imazhi dominon komunikimin dhe teknologjia ka ndryshuar mënyrën tonë të perceptimit, fotografia artistike mbetet si një dritare e lirë e mendimit dhe ndjenjës njerëzore.
Ekspozita Fokus 16 pritet të udhëtojë në disa vende të Ballkanit, si dhe në Itali e Spanjë, duke vijuar rrugëtimin e saj përtej kufijve të Shqipërisë. (A2 Televizion)