Laszlo Krasznahorkai fiton Çmimin Nobel 2025 për letërsinë

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 14:46 | Kulturë

Laszlo Krasznahorkai fiton Çmimin Nobel 2025 për letërsinë

I ngjashëm me Franz Kafkën, i thellë dhe tërheqës po aq sa Dostojevski, por shumë më bashkëkohor, kështu është konsideruar nga kritika vepra e László Krasznahorkait, hungarezit që sot fiton Çmimin Nobel për Letërsinë.

Nuk është i panjohur për lexuesin shqiptar. Është përkthyer nga Romeo Çollaku në vitin 2020. “Melankolia e qëndresës” është një komedi për një zot, një pushtet apo një drejtues që jo vetëm dështon, por nuk kthehet të bëjë llogaritë apo të kërkojë të ndreqë. Personazhet e këtij romani ngjasojnë me ato të Dostojevskit, pasi duket sikur janë braktisur nga Zoti dhe shoqëria.

Tangoja e Satanait, përkthyer nga Shpëtim Kelmendi në vitin 2023, është një libër që i flet jo pak edhe shoqërisë shqiptare. Në tangon e këtij nobelisti tashmë, nuk rri dot e heshtur e shkuara.

László Krasznahorkai rrëfen te “Tangoja e Satanait” grahmat e fundit të komunizmit në vendin e tij dhe dëshirën e pashmangshme të turmës për t’u larguar nga vendi me shpresën e një të ardhmeje më të mirë. Kooperativat shpërbëhen, fabrikat shiten, ndërmarrjet mbyllen, e me paratë e fituara kërkohet një jetë më e mirë, jashtë këtij vendi.

Çka mbetet, është një fushë e braktisur. Libri u bë edhe film nga regjisori i madh Béla Tarr. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos