Në studion e “Dita Jonë”, Ermal Sela, koleksionist dhe studiues i muzikës tradicionale shqiptare, solli një tjetër dimension të botës së instrumenteve popullore, duke treguar pasionin e tij të veçantë për ruajtjen e trashëgimisë muzikore. Me një koleksion mbresëlënës prej mbi 900 veglash popullore, Sela rrëfeu se ideja nuk ishte thjesht grumbullim, por një mision kulturor, të ruajë, dokumentojë dhe të mbajë gjallë instrumentet që po rrezikojnë të zhduken.
Ai shpjegoi se njohja e instrumenteve “në 3D”, duke i parë, prekur dhe dëgjuar, është thelbësore për çdo artist. Sipas tij, tranzicioni i gjatë i Shqipërisë ka bërë që shumë vegla popullore të shihen dikur si “prapambetje”, duke i shtyrë njerëzit t’i neglizhojnë. Por instrumente si lahuta ruajnë identitetin, mitologjinë dhe shpirtin shqiptar.
Ndërsa lahuta u pranua së fundmi në UNESCO, Sela sqaroi se ky instrument ka qenë gjithmonë më shumë se thjesht një vegël muzikore: “Lahuta është televizori primitiv i kullës shqiptare, argëtim, histori dhe jetë në një.” Ai theksoi se, ndryshe nga çiftelia, fyelli apo pipzat, lahuta shihet si një instrument shpirtëror, i lidhur ngushtë me traditën dhe mitologjinë.
Në studio ai prezantoi edhe një lahutë të veçantë prej kungulli, të krijuar kryesisht për fëmijë, në mënyrë që brezat e rinj të afrohen me këtë instrument. Por sipas tij, materiali që ekziston sot në internet apo muze mbi lahutën mbetet shumë i pakët, çka tregon se vegla është ende në rrezik.
Sela sqaroi edhe çmimet, lahutat e vjetra mund të variojnë nga 150 deri në 200 euro, ndërsa ato më të punuara dhe me histori shkojnë edhe më lart. Por sipas tij, vlera e tyre e vërtetë “nuk matet me para, por me faktin se ruajnë identitetin tonë kulturor”.
Ai apeloi për më shumë punues, studiues dhe instrumentistë që të mbajnë gjallë këtë traditë, duke nënvizuar se lahuta dhe veglat e tjera popullore janë “krenaria jonë kombëtare”. (A2 Televizion)