Prezantohet një etnografi tingujsh, këngët epike të arbëreshëve nga komunat ku jetojnë tingujt

Nga Luela Myftari
6 Dhjetor 2025, 19:51 | Kulturë

Studiuesi Nicola Scaldaferri ka rrugëtuar jo vetëm në horat e arbëreshëve në Itali, por edhe në ato komuna që po braktisen dita-ditës, në ato komuna ku gjuha e Skënderbeut nuk është më ajo e përditshmërisë, shkruan a2 CNN. Aty ku kanë mbetur rreth 200 arbëreshë që jetojnë mes dy identiteteve: të punëve dhe ritmit të jetës italisht dhe të festave, traditave e riteve në shqip.

“Është shumë e rëndësishme të udhëtojmë për të mbledhur këtë pasuri që arbëreshët e trashëgojnë ndër vite, jo vetëm në Kalabri, ku është Hora, jo vetëm në komunat me shumë arbëreshë e ku çdo ditë përdoret gjuha dhe tradita, por edhe aty ku ka më pak arbëreshë, më pak të rinj. Gjatë kësaj përvoje të mbledhjes së materialit dhe fakteve, unë kam bërë pikërisht këtë. Kam shkuar në komunat ku kanë mbetur pak arbëreshë, ku në përditshmëri jetojnë si italianë, por në festa vishen me ato kostumet tradicionale që trashëgojnë dhe këndojnë këto tinguj që i përcjell edhe në këto shkrime”, tha studiuesi Nicola Scaldaferri.

“Libri nuk ekziston si një botim në gjuhën italiane, por jam i lumtur që këto shkrime ne arritëm t’i përcjellim sot në gjuhën shqipe si një botim. Berk dhe Mikaela Minga, por po aq edhe Viola dhe pjesëtarë të tjerë të Institutit Italian, diskutuan dhe punuan për këtë ide. Kjo ide është realizuar sot si një etnografi për tinguj që vijnë nga një kulturë që në të vërtetë po mbahet me shpirt në ato anë. Dhe nuk është e thjeshtë ndonjëherë të ruash të tilla pasuri”, tha Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës.

Vepra vjen e përkthyer nga Mikaela Minga, një tjetër studiuese që e njeh së afërmi punën e Scaldaferrit dhe që udhëhoqi këtë bisedë për lexuesin shqiptar, për ata që duan të ngërthehen në historitë e këngëve epike që janë transmetuar gojë më gojë, brez pas brezi, për thuajse 600 vjet.

Dokumentari “4 breza”, pjesë e një projekti më të gjerë mbi jetën dhe traditat e katër brezave të grave arbëreshe, i cili është shfaqur premierë botërore për publikun shqiptar, ishte një shoqërues i mbrëmjes që na tregon se vëmendja ndaj atyre që e mbajnë këtë kulturë përtej kufijve zyrtarë duhet të jetë më e madhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos