Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arkivave të Kosovës dhe Universitetin “Ukshin Hoti”, kanë zhvilluar në Prizren Konferencën e X-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Në punimet e këtij edicioni morën pjesë Drejtori i ri i Arkivave, Auron Rrokaj, ndonëse nuk mungoi edhe Bido, që la detyrën për mandatin e deputetit.
Për të dhjetin vit radhazi arkivistët shqiptarë bëhen bashkë për të lëvruar përmes kumtesave edhe zhvillimin e shërbimit arkivor, aksesin në të dhëna, mbrojtjen e të dhënave personale, bashkëpunimin rajonal në fushën e arkivave, ruajtjen e trashëgimisë kulturore apo edhe trafikun ilegal të trashëgimisë dokumentare.
Ky bashkëpunim i përvitshëm kurorëzohet me botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, e cila botohet në trojet shqiptare prej 61 vjetësh.
Edicionet e mëparshme të kësaj konference janë mbajtur në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Tuz, në Boletin, në Manastir, në Elbasan dhe në Kalabri. (A2 Televizion)