Muzeu etnografik i Beratit, 1300 objekte që rrëfejnë traditat dhe trashëgiminë

Nga Luela Myftari
31 Maj 2026, 13:28 | Kulturë

Kjo shtëpi muze që rrëfen traditën shumëvjeçare do të mirëpresë me hijeshi turistët dhe vizitorët e shumtë.

Pas restaurimit, Muzeu Etnografik i Beratit rihap dyert me një koleksion prej rreth 1300 objektesh që dëshmojnë trashëgiminë, kulturën, traditat, zejet dhe mënyrën e jetesës së beratasve ndër shekuj, raporton A2CNN. 

Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja shprehet: “Ndërhyrjet restauruese kanë ruajtur autenticitetin dhe vlerat monumentale të objektit, ndërsa rimuzealizimi, ndriçimi i ri dhe restaurimi i koleksioneve e shndërrojnë këtë “shtëpi muze” në një adresë të rëndësishme të kujtesës dhe identitetit tonë kulturor. Rihapja e Muzeut Etnografik është një investim në trashëgimi, kulturë dhe turizëm, duke forcuar më tej rolin e Beratit si një destinacion unik ku historia, tradita dhe mikpritja shqiptare takohen në çdo hap”.

Pazari mesjetar, hajati, çardaku, dhoma e punës dhe dhoma e miqve janë ambientet e kësaj ndërtese historike që ndodhet në lagjen Mangalem dhe që daton e ndërtuar prej shekullit të 18, ndërsa funksionon si muze që prej vitit 1979. Pas tre vjetësh me dyer të mbyllura, tani është sërish gati të presë vizitorët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos