
Drama sociale që tronditin shoqërinë e sotme, temat identitare jo vetëm të individit, por edhe raporti i shoqërisë me kujtesën dhe historinë, si dhe transformimi i shoqërive moderne, janë temat që bëjnë bashkë në ditët e para të qershorit 40 filma nga 25 vende të botës në Tiranë, përmes një festivali tashmë tradicional, Dea Open Air Festival.
Programi studentor është po aq cilësor dhe i përzgjedhur me kujdes, konfirmon grupi i punës së këtij festivali filmi, i cili numëron 13 vite angazhim artistik jo vetëm në Tiranë.
Megjithatë, shqetësim mbetet produkti që vjen nga Shqipëria, dhe jo vetëm ai studentor, por i gjithë prodhimi artistik në tërësi.
“Open Air, Open Minds” është thirrja e këtij edicioni, si një shfaqje e kinemasë në qiell të hapur, por edhe si një ftesë për të hapur mendjen.
Filmat konkurrojnë në tre kategori: film me metrazh të gjatë, film i shkurtër dhe film studentor. Dy hapësirat ku do të zhvillohet festivali janë Amfiteatri i Universitetit të Arteve dhe zona pranë Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Shfaqjet nisin çdo ditë të festivalit në orën 17:00 dhe vijojnë deri në orët e vona të mbrëmjes me filmat me metrazh të gjatë. (A2 Televizion)