“Princa të Lilit, bij të Arbërit e familjarë të sulltanit” është vepra studimore e vlerësuar si më e mira e vitit 2025 në eseistikë dhe publicistikë. Çmimin e përvitshëm “Lumo Skëndo” e rrëmbeu këtë vit studiuesi Thomas Frashëri, i cili përmes kësaj vepre sjell personazhe, ngjarje dhe marrëdhënie të fshehura ose të humbura në një epokë transformimesh të mëdha, edhe identitare, siç ishin shekujt XIV dhe XV.
“Çmimin Kombëtar ‘Lumo Skëndo’ për vitin 2025, akorduar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, studiuesit të mirënjohur dhe personalitetit të shquar në mjaft fusha, Thomas Frashëri, për botimin ‘Princa të Lilit, Bijë të Arbërit’, një vepër e çmuar në fushën e historiografisë, pas një botimi të mëparshëm shumë të suksesshëm, Frashëri”, ”, tha studiuesi Uran Butka, përcjell A2 CNN.
“Mid’hat Frashëri ka shoqëruar procesin tim të shkrimit dhe interesimin tim ndaj historisë në mënyrë të pandërprerë. Çmimin për këtë vepër unë e konsideroj, në një farë mënyre, edhe si një lloj homazhi ndaj gjithë punës së tij në shërbim të albanologjisë dhe për të shkruar librat e tij. Prandaj, një mirënjohje shumë e madhe së pari për Mid’hat Frashërin, Lumo Skëndon, i cili bën pjesë në këtë kategori njerëzish, dhe më pas për të gjithë ata që janë të rreshtuar në bibliografi. Shumë faleminderit edhe njëherë për vlerësimin”, tha Thomas Frashëri.
Çmimi, i themeluar nga studiuesi Aurel Plasari kur ishte në krye të Bibliotekës Kombëtare, prej pesë vitesh ndahet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, një traditë që duket se po ndiqet edhe nga drejtuesja e re, Arta Marku.
“Numri i lexuesve po bie. Teknologjia po e rivalizon ndjeshëm librin. A duhet ta shpërfillim librin? A duhet ta pranojmë këtë situatë? Në fakt, Lumo Skëndo nuk e pranoi, edhe pse funksionoi në një kohë kur analfabetizmi ishte ulur këmbëkryq në Shqipëri. Atëherë, si ta pranojmë ne? Nuk ka arsye ta pranojmë. Jo vetëm Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, që e ka detyrë themelore këtë gjë, jo vetëm institucionalisht, por të gjithë njerëzit që kanë lidhje me librin, që e duan librin dhe ia dinë vlerën, duhet të punojnë së bashku”, u shpreh ajo.
Për çmimin “Lumo Skëndo” kanë konkurruar rreth 100 vepra të autorëve shqiptarë, botime të cilat janë bërë pjesë e katalogut të Bibliotekës Kombëtare përgjatë vitit 2025. (A2 Televizion)