Nga Gjermania në Shqipëri, Pogradeci shijon tingujt hollivudianë të 60 muzikantëve

Nga Artin Halili dhe Armend Pire
28 Gusht 2024, 12:44 | Kulturë

60 muzikantë të orkestrës të Wismarit në Gjermani kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për një tur muzikor dhe për të njohur kulturë, njerëzit e vendin tonë.

Frider Weinhold i cili drejton prej më shumë se 30 vitesh një fondacion humanitar në Shqipëri shprehet, se orkestra ka performuar në Tiranë, Bishnicë dhe së fundmi në Pogradec, ndërsa krahas muzikës arsyeja përse i ftova këtu ishte të njohin njerëzit shprehet ai.

“Është një grup muzikor i cili jep koncerte në shumë vende të botës dhe këtë vit vendosën të vijnë në Shqipëri dhe në Pogradec. Ky ansambël prej 60 personash është mbledhur posaçërisht për këtë tur. Grupi zhvilloi fillimisht një koncert në parkun Rinia në Tiranë, më pas udhëtuan drejt Pogradecit, vizituan edhe Linin, udhëtuan më pas drejt Bishnicës sepse unë doja që ata të shikonin këtë pjesë të Shqipërisë sepse për ta është hera e parë këtu. Patën mundësinë të shohin Bishnicën, fshatrat dhe malet përreth", tha Frider Weinhold, shkruan A2.

Hartwig Kessler dhe Renate Menzel e vizitojnë për herë të parë vendin tonë dhe kultura e folklori i ka mahnitur në Shqipëri, aq sa shprehën idenë se një grup muzikor duhet që së shpejti të shkojë për të performuar në Wismar të Gjermanisë.

"Këtu kemi gjetur një vend dhe njerëz të mrekullueshëm. Patëm mundësi të njihnim edhe vende të reja si Bishnica, patëm mundësinë të njohim fëmijët, njerëzit dhe të shohim mundësinë se si mund të ndihmojmë më shumë atje, por edhe u argëtuam dhe luajtëm futboll atje, si hera e parë për ne ishte fantastike. Shqipërinë e kam parë vetëm që nga Italia, nuk kisha qenë asnjëherë këtu. Shumë e rëndësishme ishte që të njihnim kulturë dhe folklorin shqiptar, të mësonim për të. Dhe më lindi ideja që ashtu si ne edhe një bandë muzikore shqiptare të vijnë në Gjermani, në Wismar dhe duam që bashkë me ta të luajmë muzikë folklorike. Mundtë them që ishte një kohë fantastike dhe jemi shumë të kënaqur.”

"Unë vij direkt nga pjesa e detit Baltik në Gjermani. Jemi këtu menjë grup të madh muzikor. Kemi ardhur këtu në bashkëpunim  me fondacionin Diakonia nga Wismari.  Jemi mahnitur nga e gjithë atmosfera këtu në Shqipëri. Të gjithë ne vijmë për herë të parë në Shqipëri, vijmë edhe të shohim projektin e Diakonias këtu dhe patëm një eksperiencë të mrekullueshme në Bishnicë dhe fshatrat përreth. Të gjithë njerëzit që kemi takuar dhe njohur kanë qenë shumë të afrueshëm dhe tani kemi dëshirë që të rikthehemi përsëri këtu."

Orkestra muzikore luan për më shumë se një orë muzikë të zhanrit hollivudiuan me muzikat më të njohur të filmave, ndërsa pas Pogradecit do të mbajnë një tjetër koncert në kryeqytet për tu rikthyer më pas në Gjermani./ A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos