Sheshi “Liria” në Durrës u kthye mbrëmjen e sotme në një skenë të hapur artistike, ku u zhvillua koncerti festiv i Orkestrës Frymore, nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja dhe me pjesëmarrjen e solistes Juna Ruci.
Tingujt e instrumenteve frymorë dhe interpretimi i pjesëve të njohura shqiptare e ndërkombëtare krijuan një atmosferë emocionuese për dhjetëra qytetarë që zgjodhën të kalojnë një mbrëmje ndryshe në zemër të qytetit, shkruan A2.
Repertori përfshiu vepra nga kompozitorë të njohur si: Prenk Jakova, Feim Ibrahimi, Bizet, Shostakovich, Beethoven, Morricone, The Beatles, ndërthurur mjeshtërisht për të sjellë një përjetim muzikor të larmishëm dhe frymëzues.
Ky aktivitet është pjesë e kalendarit artistik të verës në Durrës, që synon të promovojë artin dhe të krijojë hapësira kulturore për komunitetin. (A2 Televizion)