Prishtina, kryeqyteti i muzikës, klasik e modern, me “Sunny Hill” dhe International Opera Festival

Nga Luela Myftari
2 Gusht 2025, 17:31 | Kulturë

Po bën jehonë kënga që Dua Lipa interpretoi me të atin në mbrëmjen e parë të Sunny Hill Festival. Rikthimi i hitit “Era” nga grupi Gjurmët, mëngjesin e këtij gushti, është kthyer në refrenin e ditës. Video që bëhen virale, një shesh i mbushur me njerëz që këndojnë njëzëri me artisten ndërkombëtare, po bën jehonë kudo në botë.

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, është shpallur këtë muaj si artistja e parë femër në historinë e Spotify që ka dy albume të cilat kanë tejkaluar kufirin prej 14 miliardë dëgjimesh në total. Me fjalë shqip, me këngë shqip, me një festival në Prishtinën e saj të dashur, Sunny Hill Festival dhe vetë Prishtina, këtë gusht janë shndërruar në kryeqytetin e muzikës, shkruan A2 CNN.

Kryeqyteti i muzikës jo vetëm për shkak të Sunny Hill Festival, por edhe sepse sheshi qendror i Prishtinës pret mbrëmjen e 2 gushtit edhe një tjetër zë magjik, shumë zëra klasikë bashkë me të. Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj International Opera Festival mbyllet me një natë gala ku muzika operistike takohet me emocionin kolektiv të një publiku të etur për art. Krah tenorit Rame Lahaj, do të ngjitet në skenë artisti italian Dario Russo, ndërsa Orkestra e Operës së Kosovës do të drejtohet nga dirigjenti Roberto Rizzi Brignoli.

Ndaj, Prishtina e ditëve të para të gushtit ju premton shumëçka — nga klasikët te modernët.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos