Sot, Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore, një vendim që i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë.
Me banesa tradicionale që datojnë në shek. XIX-XX, gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri te lagjet me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave, Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë.
Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë, shkruan A2 CNN.
Ky vendim vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në përputhje me Ligjin Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta. (A2 Televizion)