Panairi Tradicional i Librit në Ulqin mbyll sot edicionin e 23-të, ku morën pjesë rreth 50 shtëpi botuese nga rajoni. Autorë dhe përkthyes kanë mbajtur prezantimet e tyre në librarinë dhe kalanë e qytetit, ndërsa nuk ka munguar edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ministrja e Kulturës dhe Mediave e Malit të Zi, Tamara Vujoviç, Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi.
Mbrëmja letrare kushtuar studiuesit arbëresh Italo Saro dhe poetes Jelena Jovetiç u mbajt në kalanë e qytetit, ku u ndanë edhe çmimet.
Çmimi “Liburnia”, për prozën më të mirë 2023-2024, shkoi për shkrimtarin Namik Dokle, për romanin “Dhjetë gramë nder”, botoi “Toena.
Çmimi “Dega e ullirit”, për librin më të mirë për fëmijë 2023-2024, shkoi për autorin Viktor Canosinaj, për librin “Rpbi IARM234G”, botoi “Dyrrah”.
Çmimi “Ulchinium”, për librin më të mirë studimor, shkoi për studiuesen Viola Isufaj, për librin “Baladë dritash për Zorbën” (Në poetikën e Zef Zorbës”, botoi Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Çmimi “Servantes” iu dha librit “Njeriu që shet gjak” përkthyer nga Iljaz Spahiu.
Çmimi “Olcinium” iu dha librit “Publicistikë e zgjedhur 2000-2020” me autor Erion Kristo.
Mirënjohja e Panairit shkoi për gazetaren Luela Myftari, shkrimtarin Eris Rusi dhe personazhin Beqir Potka. (A2 Televizion)