Poezia e Dhimitër Pojanakut, një mbrëmje mes vargut, muzikës dhe emocioneve

Nga Artin Halili
27 Shtator 2026, 14:10 | Kulturë

Një mbrëmje kushtuar poezisë, artit dhe krijimtarisë së poetit Dhimitër Pojanaku u shndërrua në një takim të veçantë mes autorit dhe publikut pogradecar.

Në qendër të mbrëmjes ishte edhe promovimi i përmbledhjes poetike “Qëlli ngrin”.

“Recitali poetik, në vetvete, kishte gjithë lumnimin e artit të poezisë në vitet e Pojanakut, sepse u finalizua pikërisht me botimin e librit, një përmbledhje me poezi, ‘Qëlli ngrin’. U bashkuan dy gëzime në një ditë: ditëlindja e poetit dhe promovimi i librit.”

Mbrëmja solli vargje, muzikë dhe emocion, ndërsa disa prej poezive të autorit u sollën edhe përmes interpretimit dhe këngës"

Botuesi Bujar Hudhri vlerësoi bashkëpunëtorët në këtë proces të rëndësishëm.

“Ne punojmë me redaktorë shumë të mirë, sepse pikërisht ky është thelbi: që ta kuptosh autorin si njeri, atë që ai vetë shkruan dhe përvojën që ti ke. Të gjitha këto, në sinkron, bëjnë që të kemi një libër i cili të ketë vlera për lexuesin.”

Miqtë e poetit u bënë pjesë e drejtpërdrejtë e performancës, duke i dhënë poezisë një tjetër dimension.

“Ishte një recital poetik në një formë krejt ndryshe nga ç’ kishim parë më parë. Gjithçka ishte konceptuar me praninë e miqve të mi, të cilët u bënë njëkohësisht edhe aktorë, duke e sjellë poezinë në një tjetër dimension.”

Përmes vargut, interpretimit dhe muzikës, poeti solli një mbrëmje ku fjala poetike u kthye në përjetim skenik. Një festë e dyfishtë, 70 vjetori i autorit dhe promovimi i librit të fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos