Dua, një film i vendosur në kohën e luftës në Kosovë, ka në qendër një 13-vjeçare që na i rrëfen pasojat e luftës përmes syve të saj. Ajo përballet me zgjedhje të vështira që ndikojnë në ndjesitë e saj për veten, familjen dhe forcën. Kur situata e detyron të lërë gjithçka pas, Dua hyn në një realitet të ri që e bën të rritet shpejt.
“DUA” ndjek udhëtimin e një vajze adoleshente ndërsa tensionet rreth saj rriten. Filmi eksploron se si të rinjtë përballen me frikën, zemërimin dhe revoltën, njëlloj si producenti, i cili rrëfen se në fillim filmi u pengua në platforma, por po ia del të jetë në listat e më të mirëve në botë.
Filmi vjen në një kohë kur edhe tensioni duket se shkon në sinkron me padrejtësinë nga Gjykata e Hagës, ndërsa “Dua” është duke u vlerësuar ndërkombëtarisht nga disa festivale në botë, së fundmi nga Sundance Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndonëse është realizuar shumë më herët sesa të pritej vendimi i Hagës, kjo thirrje artistike tregon atë që ndonjëherë shkresat e gjykatave nuk mund ta rrëfejnë, jetën e thjeshtë të familjeve që nuk rreshtin së ëndërruari. (A2 Televizion)